Berisha drejt SHBA-së, Shehi: U bë mirë për të, por nuk ndryshon situatën politike të PD-së

Nga A2 CNN
2 Shtator 2026, 22:40 | Politikë

Berisha drejt SHBA-së, Shehi: U bë mirë për të, por

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Sali Berishës dhe vizitën e tij në SHBA, duke e konsideruar heqjen e “non grata”-s një zhvillim pozitiv për Berishën, por jo një zgjidhje për problemet e opozitës.

I ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Shehi tha se Berishës “iu hoq një hall” që kishte prej vitesh, por sipas tij, kjo nuk ndryshon situatën politike të opozitës.

“Për Berishën po, u bë mirë, se në fund të fundit, me moshën që ka dhe me historinë politike që ka, iu hoq një hall që kishte atje. Po unë them që kjo nuk bie”, u shpreh Shehi.

Sipas tij, Berisha nuk mund ta përdorë më çështjen e “non grata”-s si justifikim për rezultatet e PD-së.

“Berisha politikën e ka bërë, Partinë Demokratike e mori, vulën e mori, në zgjedhje ka hyrë, do hyjë prapë. Biles, do t’i vijë dita që do t’i mungojë dhe një justifikim më tepër, se tani s’ke çfarë të thuash: ‘Non grata’ se ke zyrë. E ke, ti e drejton, ti e bën”, deklaroi ai.

Shehi theksoi se rënia e votave të opozitës tregon se problemi është më i thellë dhe nuk lidhet vetëm me statusin e Berishës në SHBA.

“Unë nuk kam shpresë që kjo zgjidh gjë në rrafshin opozitar. Shpresën e kam te këta të rinjtë, te këto lëvizjet e reja atje”, tha kreu i LZHK-së.

Duke folur për të ardhmen e PD-së dhe Berishës në krye të saj, Shehi tha se duhet një analizë e re politike dhe një gjykim më i ftohtë.

“Nuk mund të rikthehesh pas tre herësh, dy herë, për herë të tretë. Nuk ndodh. Nuk ka ndodhur. Kjo është një ligjësi e politikës”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos