Dorëheqja e ministres së Shëndetësisë Evis Sala ka ngritur dyshimet mbi arsyet të cilat sipas gazetarit Bledian Koka qarkullojnë në ambientet politike dhe shëndetësore.
Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se Sala mund të ketë zgjedhur të largohet përpara se të përballej me vendime të vështira, sikurse qarkullojnë zërat për krijimin e një agjencie që do të përqendronte tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ka dhe një thashethem tjetër që flitet për ikjen e zonjës Sala dhe këtu futemi te fakti që ndoshta kjo kishte një farë integriteti, sepse flitet se kjo qeveria që po privatizon dhe po jep shtetin me koncension dhe po i përqendron edhe atë që ishte shtetërore në pak duar edhe të gjithë tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë prezumohet të krijojë një agjenci speciale, e cila do të jetë në dorën e një qytetari që s'është as shqiptar. Për më tepër që edhe kjo mbetet për t'u parë që edhe nëse kjo ndodh edhe kjo është e rëndë”, tha Koka në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij Evis Sala iku para se të bëhej pis, teksa solli në vëmendje ministrat e tjerë të Ramës që kanë përfunduar në dyert e SPAK.
“Ajo bëri mirë që iku sa ishte në kohë, sepse po të mos kishte ikur jam i sigurt që do detyrohej të firmoste një gjë që me sa duket zonja Sala nuk kishte këllqe që ta firmoste se në kohë ashtu siç kanë treguar dhe ministrat e tjerë para saj kur kanë firmosur kuturu, pastaj e kanë parë veten duke përplasur sa te njëra derë e një prokurori te dera tjetër e prokurorit”.
Sipas tij, problemi kryesor mbetet gjendja e sistemit shëndetësor dhe menaxhimi i tij.
“A e dini që sfida më e madhe në Qendrën Spitalore Universitare nuk ishte se si të rigjenerojmë ambientet spitalore, po se si të krijojmë atje një hotel që të nxjerrim dhe ca lekë të tjera. Pra, në momentin që shteti mendon vetëm e vetëm si ta bëjë fasadën më të bukur, por jo shërbimin më të mirë, se si ta bëjë ministrinë më cilësore, por jo cilësinë e barnave, sigurisht që ky është produkti final”, theksoi Koka.
Në Off te Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai ngriti shqetësimin edhe për tregun farmaceutik në Shqipëri dhe mënyrën e furnizimit me barna në sistemin shëndetësor.
“Një nga problemet kryesore që vazhdon të jetë gangren dhe askush, asnjë ministër nuk ka një përgjigje për këtë është për të bërë një vlerësim se çfarë ilaçesh pinë shqiptarët. Si ka mundësi që këtu ka më shumë depo farmaceutike, sesa farmaci në Shqipëri? Vetëm në Shqipëri ndodh një vend që ka 2 milionë banorë, ka 200 depo farmaceutike dhe secila prej tyre ka dy lloj ilaçesh. Një lloj ilaçi që shkojnë te shërbimi publik dhe ilaçe të shtrenjta nën dorë dhe pa faturë për ata që kanë mundësinë ta përfitojnë atë. Për shembull pra doni të flasim për problematikën. Por kjo është problematika e cila vetëm me zonjën Sala nuk ka të bëjë fare”. (A2 Televizion)