
Më pak se 9 muaj nga zgjedhjet lokale, Kryeministri, njëkohësisht kryesocialisti Edi Rama ka urdhër që të gjithë socialistët të zbresin në terren për të takuar qytetarët. Për rreth dy orë tek vila qeveritare, e njohur ndryshe si Vila e Kuqe, Rama u ka treguar skemë se si drejtuesit politik duhet të qasen ndaj qytetarëve, pa show me kamera. Të deleguarit kanë detyrë që të bëjnë gati skedën e takimeve periodike me strukturat në qarqet e tyre elektorale për të dëgjuar dhe mbledhur shqetësimet e qytetarëve.
Më pas, ato të transferohen tek ministrat, sipas linjave të përgjegjësi, ku drejtuesi I dikasterit duhet të caktojë një zv/ministër për t’u marrë me zgjidhjen e halleve të popullit.
Gjithashtu mësohet se gjatë këtij takimi është diskutuar që “Pasqyrë Albania” të mos mbesë vetëm një platformë, por të funksionojë me një bazë ligjore, e njëjta procedurë siç është ndjekur me Ligjin e Bashkëqeverisjes.
Edhe pse socialistët janë në ethe të ndryshimeve të mundshme në këtë takim nuk u caktua një datë për Asamblenë e Partisë Socialiste, por sipas burimeve të A2CNN është diskutuar për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të PS për bashkitë.
Kryeministri evitoi këtë të premte një përplasje me protestuesit, duke ndryshuar vendosjen e takimit nga selia e PS tek vila qeveritare, pasi qytetarët kishin bërë thirrje për të protestuar para selisë rozë.
Ndërsa të shtunën Edi Rama ka thirrur në mbledhje në periferi të kryeqytetit drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës. (A2 Televizion)