Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat të enjten, deklaroi se “krimi zgjedhor është krim kushtetues qeveritar, dhe qytetarët ishin në terror nga një anë nga bandat në pushtet, nga ana tjetër nga ato në terren”.
“Në Porto isha së bashku me Fatmir Mediun, anëtar i Delegacionit të Parlamentit tonë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe Albana Vokshin. Mendoj se me ndërhyrjet e tyre, Mediu dhe Vokshi dhanë një kontribut me të vërtetë të qenësishëm në ndriçimin e të gjithë shëmtisë së farsës zgjedhore të 11 majit. Pra, në këto kushte ne zhvilluam një debat, jo vetëm me shqiptarët nëpërmjet medias, siç keni parë këtu çdo ditë. Unë kam paraqitur fakte, dokumente, por po kështu edhe me komunitetin ndërkombëtar. Natyrisht, farsa është farsë dhe nuk mund të pranohet kurrë”, tha Berisha, shkruan A2.
“Por, farsa është farsë e cila zgjidhet vetëm kur qytetarët shqiptarë të marrin në dorë fatin e votës së tyre. Dhe këtu dua të shpreh qëndrimin tim; asnjë njeri nuk ka të drejtë të fajësojë qytetarët shqiptarë. Duhet fajësuar për fajin që kanë narkodiktatori, narkopolicia, narkoskapi, narkogjykatat, që heshtin, mbështesin krimin zgjedhor. Krimi zgjedhor është krim kushtetues qeveritar, dhe qytetarët në një terror nga një anë të bandave në pushtet, nga ana tjetër të bandave në terren ndaj dhe është detyrë e çdo shqiptari të kontribuojë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë”, shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)