Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Toni Gogu, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se Shqipëria "ka bërë punë titanike në rrugën drejt Bashkimit Europian".
Gogu tha se deri më tani janë hapur 5 grupkapituj dhe pritet i gjashti në vjeshtë. Ironizoi edhe opozitën për deklaratat e Sali Berishës në sy të ndërkombëtarëve, ku quajti Shqipërinë narkoshtetin e vetëm në Europë, shkruan A2.
“Nuk mundet pacienti zero i korrupsionit shqiptar, të dalë dhe të mbrojë korrupsionin duke i hedhur baltë Shqipërisë”, tha Gogu.
“U përpoqët të bënit me baltë Shqipërinë si narkoshtet, ndërkohë fermerëve u bie bretku nga mëngjesi në darkë të ushqejnë këtë vend, e njëjta gjë me mësuesit, zjarrfikësit… Patjetër që nxihet Toni Gogu kur dëgjon baltën që i hidhet Shqipërisë, Nuk mundet pacienti zero i korrupsionit shqiptar, të dalë dhe të mbrojë korrupsionin duke i hedhur baltë Shqipërisë. Të nderuar kolegë, raportet e fundit të BE e shohin Shqipërinë si udhëheqëse në rajon, jo vetëm europianët, por edhe qytetarët shqiptarë. Ndaj kur diskutojmë punën e këshillit kombëtar të integrimit të jemi në lartësinë e detyrës. Besimi i BE te Shqipëria është absolut. Ne nuk trembemi nga kritikat, ato kritika janë tinguj që ne na bëjnë ti përvishemi më shumë punës, ndaj e shihni shumicën qeverisëse në bazë me qytetarët, me njerëzit, për të diskutuar si BE do shkojë në fshat, në tregun financiar, bankar, komercial”, tha Gogu.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku iu kundërpërgjigj me replikë fjalimit të Gogu, i cili akuzoi opozitën për nxirjen dhe baltosjen e Shqipërisë në Europë si një vend narkoregjim: “Mos ia qani hallin farë opozitës zoti Gogu, mos u shqetëso aspak për opozitën. Ti duhet të shqetësohesh për baltën ndaj Shqipërisë, për zgjedhjet e manipuluara në raportet që lexohen atje në Parlamentin Evropian, shqetësohu për korrupsionin dhe këtu citoj raportin që do lexohet më 9 korrik. Shqetësohu për baltën që ka hedhur mazhoranca dhe jo opozita. Nuk është bllokuar ky proces prej nesh për integrimin, por është bllokuar për ju. Duhet të shqetësoheni për mungesën e standardeve, sepse nuk janë plotësuar, për këto duhet të shqetësoheni ju dhe jo për hallet e opozitës. Opozita i zgjidh vetë hallet e saj”.
(A2 Televizion)