Berisha me mësuesit: Nën qeverisjen e Ramës, arsimi ka qenë viktima më tragjike e diktaturës së dytë

Nga A2 CNN
7 Mars 2025, 20:28 | Politikë

Berisha me mësuesit: Nën qeverisjen e Ramës, arsimi ka qenë

Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në qeverisjen e tij, arsimi ka qenë viktima më tragjike e tij. Në takimin me mësuesit për ditën e 7 marsit, Berisha u shpreh se shkolla e drejtorëve dhe portali mësues për shqiëprinë sollën edhe rrokullimën e sistemit arsimor në vend”.

“Në këtë regjim, diktaturë të dytë, arsimi ka qenë dhe viktima më tragjike e tij. Mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë. Rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar. Një shkollë drejtorash, si shkollë partie. Një portal që quhet ‘Mësues për Partinë’. Të gjitha këto së bashku, sollën rrokullimën e madhe të sistemit jetik, më të rëndësishëm për një komb, në rrugën e tij drejt përparimit, progresit”, citon A2 CNN Berishën.

Sipas Berishës gjatë viteve të qeverisjes së Ramës janë mbyllur 760 shkolla dhe numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë.

“Çfarë ndodhi këto vite? Këto vite janë mbyllur 760 shkolla. Këto vite numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë. Këto vite është regjistruar ajo që ndofta nuk është regjistruar asnjëherë në historinë tonë mijëravjeçare. Një qytet, një qendër e banuar si Kolonja, si Erseka, ka patur në vitin 2023 vetëm një lindje.  Në vitin 2030, në klasën e parë të këtij qyteti ulet vetëm 1 vogëlush”, tha Berisha, raporton A2 CNN.

Kreu demokrat u ndal edhe te shpopullimi, duke akuzuar kryeministrin Rama që e ka patur mision të tij shkatërrimin e kombit, shkruan A2.

“Kombi nuk është goditur kurrë në materien e tij, në qenien e tij nga asnjë pushtim, nga asnjë pushtues, nga asnjë fatkeqësi natyrore, nga asnjë luftë, siç është goditur këto 12 vite të qeverisjes së një njeriu, i cili ka patur mision shkatërrimin e këtij kombi. Ka patur si mision dhe ka, shkatërrimin e këtij kombi. Edi Rama përbën ndofta antishqiptarin më të zi të historisë”.

Gjithashtu ai e akuzon kryeministrin edhe për politikat e tij ndaj Kosovës dhe se ajo përballet me një presion të egër mes Tiranës e Beogradit.

“Siç e kanë quajtur me shumë të drejtë analistë ndër më të mëdhenjtë të kohës, gjermanë e të tjerë, ‘Pashiqi Shqiptar’. Këtë gjëmë që i bëri Shqipërisë me politikat e tij, e shoqëroi me thika të tmerrshme pas shpine Kosovës. Një vend vëlla, vëlla gjaku, një vend që u bë i pavarur sepse qëndroi i pamposhtur nga pushtuesit më të egër. Pas ardhjes së tij në pushtet përballet me një presion të egër mes Tiranës e Beogradit.  Në fakt jo vetëm që ndaloi procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, por mori anën e Beogradit, vuri sanksione Kosovës, i pari, me urdhër antishqiptar”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos