Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përshëndetur planin për paqen në Gaza që u prezantua një ditë më parë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe që u pranua nga kryeministri izraelit, Netanjahu në konferencën e përbashkët për shtyp.
Në një reagim në rrjetet sociale Berisha shkruan se shpreson që ky plan t’i japë fund konfliktit në Gaza dhe të shërbejë për paqen e qendrueshme.
“Drejt paqes në Gaza. Plani i Paqes i Presidentit Trump drejt konkretizimit.
Zbatimi i këtij plani të miratuar në takimin në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Izraelit, Netanyahu hap rrugën për përfundimin e konfliktit, lirimin e të gjitha pengjeve nga Hamasi dhe tërheqjen e Izraelit nga pushtimi i Gazës dhe vendosjen e paqes. Netanyahu i kërkoi të falur Katarit për sulmin ajror në Doha. Qeveria, vendet arabe të rajonit dhe disa vende tjera si Turqia, Pakistani, Indonezia përshëndetën lidershipin e Presidentit Trump dhe përpjekjen e tij të sinqertë në përfundimin e konfliktit në Gaza.
Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përshëndes këtë arritje të madhe diplomatike të Shtëpisë së Bardhë dhe uroj që plani i Presidentit Trump për përfundimin e konfliktit në Gaza të shërbejë si projekt për një paqe të qëndrueshme në rajon”, shkruan Berisha. (A2 Televizion)