Politologu Afrim Krasniqi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se opozita “vazhdon me të njëjtën sjellje si në 2021, si në 2017, duke mos e kuptuar realitetin e ri politik”.
“Opozita ka dy mekanizma. Ka mekanizmin përfaqësues që sot e ka të kufizuar për shkak të numrave në Parlament dhe ka mekanizmin e marrëdhënieve publike. Të dyja mekanizmat, opozita në mënyrë të gabuar i ka ndërtuar mbi bazën e një lufte imagjinare që nuk ekziston. Ajo mendon se shumica e këtij vendi janë të blerë. Në fakt, statistikat tregojnë që PS në 4 zgjedhjet e fundit ka marrë të njëjtin numër votash. Sistemi i patronazhizmit është antiligjor, por kjo është si puna e mjekut. Kur ti e di diagnozën, ti ndërton strategjinë për ta zgjidhur problemin. Fytyra e opozitës nuk janë ata emra që diskutuan në Parlament. Zëri i opozitës nuk janë ata që presin shoqëria shqiptare. Detyra e opozitës është që të prezantojë një qasje shumë më strategjike”, tha Krasniqi.
Sipas tij, “kjo është një legjislaturë ku mazhoranca nuk ka nevojë për opozitë dhe mazhoranca ka arrogancë. Por, gjithmonë ka zgjidhje brenda sistemit”.
“Por, ajo që shohim është që ata vazhdojnë me të njëjtën sjellje si në 2021, si në 2017, duke mos e kuptuar realitetin e ri politik”, shtoi më tej Krasniqi. (A2 Televizion)