“Do t’ju hamë të gjallë…”, Mazniku flakë për flakë me Alizotin: Gjuhë humbësish, diskurs kënete

Nga A2 CNN
2 Maj 2025, 21:39 | Politikë

Fraza “do t’ju hamë për së gjalli”, që drejtuesi politik i PD, Tomor Alizoti shprehu me tone të larta gjatë takimit përmbyllës të fushatës në Elbasan, për rivalin e tij nga kampi i majtë, Arbjan Mazniku është gjuhë humbësish.

Duke nënvizuar fillimisht se nuk merret me analizën e tipologjisë së kundërshtarit, Mazniku tha se në fushatën e 9-të ku po merr pjesë, ai nuk e kishte menduar ndonjëherë “që do vinte një ditë që do të më vinte keq për kundërshtarin”.

“Degradimi i gjuhës, nervave, komunikimit, ndërkohë që duhet të ishte një fushatë që të bazohej në ide, koncepte, si ta zhvillojmë qarkun dhe ta çojmë përpara qarkun e Elbasanit, që është padyshim një qark që ka probleme, që ta bëjmë avangard, në një kohë kur ne jemi dy vite larg mbylljes së negociatave sipas ambicies tonë dhe të KE-së. E kur ne premtojmë që në 4 vjet të ulemi në tryezën e barabartë me vendet e tjera të Be-së, diskursi: “Ju hamë të gjallë”, është fiks një diskurs i dalë nga këneta”, u shpreh Mazniku në “Çdo kënd” nga Merita Haklaj, në A2 CNN.

Mazniku deklaroi më tej, se një forcë politike që e ndjen humbjen, siç sipas tij është PD në zgjedhjet e 11 Majit, bën premtime pa i vendosur në peshoren e kostove.

“Ka një diferencë të madhe midis një force politike qeverisëse dhe një force politike që e di vet që nuk ka për të ardhur në qeveri. Një forcë që e di që nuk do vij në qeveri ku hyn PD, i lëshojnë premtimet si simite. Pra thjesht thonë po e them edhe një gjë unë, punë e madhe, as  nuk bën njeri hesap sa kushtojnë, nga vijnë këto të ardhura”, tha Mazniku në “Çdo kënd” nga Merita Haklaj, në A2 CNN.

I vendosur përballë faktit se këtë ua thoshte Sali Berisha si kryeministër, socialistëve për premtimet e tyre gjatë fushatës së 2013-ës, Mazniku tha se PS në ato zgjedhje e dinte që do të dilte fituese dhe nuk i devijoi premtimeve të saj kur e mori pushtetin.

“Diferenca e vetme është që ne i bëmë. Diferenca tjetër ishte që ne e dinim që do vinim në qeveri dhe ne i morëm përsipër ato angazhime. Ne thamë do shtojmë 300 mijë vende pune, e morëm me 1 milionë dhe tani janë 1 milionë e 300 mijë, që para tre vitesh. Paga minimale ka qenë 150, është sot 400. Secili prej treguesve të ekonomisë së vendit është 2.5 herë më i madhe volumi i ekonomisë së Shqipërisë. Të ardhurat për frymë janë 3 herë më të mëdha”, theksoi Mazniku.

Në emisionin “Çdo kënd” nga Merita Haklaj, në A2 CNN, drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit po ashtu tha se qytetarët e shohin mirë diferencën në programe mes mazhorancës dhe opozitës.

“Qytetarët dhe mediat kanë sy në ballë dinë të shohin se kush ka program, kush ka ide dhe program dhe kush flet për të ngrënët të gjallë apo të pjekur. Apo kush flet si do e integrojmë vendin në BE, si do bëjmë atë motoparkun në Elbasan, si do të bëjmë Korridorin e 8, si do sjellim hekurudhën, si do rikualifikojmë Kalanë dhe zonën e Metalurgjikut, si do rrisim prodhimin bujqësor në fushën dhe Elbasanin dhe zonën e Cërrikut, çfarë do bëjmë për të çuar më shumë turistë në Gramsh dhe Librazhd, si do rivatilizojmë industrinë e mbrojtjes për t’i dhënë jetë Gramshit. Pra kemi diskutim që lidhet me hallet e njerëzve specifikë, me njerëz realë, me nevojën për zhvillim, me potencialin e jashtëzakonshëm që qarku ka, me mundësinë për të shkuar përpara si një realitet dhe jo një ëndërr”, nënvizoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos