Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me fillimin e procedurës parlamentare nga ana e Partisë Demokratike, për shkarkimin nga detyra të tij.
“Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjërës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik. Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese”, thuhet në reagim.
“Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut”.
Mes shumë akuzave të ngritura ndaj Presidentit nga ana e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ishte edhe fakti se Begaj rezultonte i punësuar si mjek në një klinikë private ndërkohë që ushtron detyrën. Gjithashtu Bardhi tha edhe se djali i Presidentit rezulton i punësuar në një kompani që fiton tendera nga Presidenca. (A2 Televizion)