Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se pas përçarjes në vitet e kaluara, PD tashmë ka bashkuar të gjithë elementet që i nevojiten për të shkuar drejt fitores më 11 maj, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, shkruan A2 CNN.
“Në procesin e bashkimit të PD, Partia Demokratike është treguar konsekuente në atë që ka shpallur. Ne shpallëm bashkimin në diversitet, sepse nuk mund të mohohet që për shkak të zhvillimeve dramatike, brenda grupit të deputetëve të PD, dhe në anëtarësi në një shkallë më të vogël, u përvijuan qëndrime të ndryshme. Bashkimi i deputetëve dhe grupit parlamentar ishte vendimtar për forcën tonë politike që të shkojë drejt 11 majit si forcë drejt fitores”, tha Berisha në një komunikim në rrjetet sociale me ndjekësit.
I pyetur pse nuk u përfshi në këtë bashkim edhe Lulzim Basha, Berisha u përgjigj: “Meqenëse po më pyet me emër konkret. Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri. Ndaj demokratë e demokrate mbështesni kandidaturat e PD, se mbështesni fitoren”. (A2 Televizion)