Kryeministri Edi Rama vijoi sot në Berat takimet informuese në kuadër të konsultimit publik për Reformën Administrative-Territoriale, duke u ndalur te ndikimi i riorganizimit të njësive vendore në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Mes zemërimit të Poliçanit dhe Dimalit për shkrirje, Rama tha se riorganizimi nuk cenon ofrimin e shërbimeve në njësitë e tyre, shkruan A2.
"Më thoni çfarë mendoni ju se do të dëmtohet në rast se do të bëhet bashki? Kur më thua rruga e më thua shërbimi, këto nuk ndryshojnë. Nuk do të ikin shërbimet nga Poliçani, nga Dimali ose nga askund. Përkundrazi, këto nuk ndryshojnë. Në raport me çfarë keni, ndryshon vetëm një gjë: nuk do të keni kryetar bashkie të zgjedhur. Nuk ndryshon godina, nuk ndryshon stafi, nuk ndryshon numri i shërbimeve që bëhen. Ti thua distanca? Çfarë lidhje ka distanca? Ato shërbime që ti merr sot në Poliçan ose në Dimal, do t’i marrësh po aty. Pra, bashki, qytet, njësi administrative. Dhe qyteti Poliçan, qyteti Dimal do të kenë drejtuesin e tyre, do të kenë këshilltarët e tyre në Këshillin Bashkiak të Bashkisë Berat, me kuota”, tha Rama.
“Më thoni dhe një gjë tjetër, komunat janë më mirë sot apo ishin më mirë kur ishin veç, se këto biseda unë i kam dëgjuar në kohën e reformës 2015. “Do na ikë kjo, do na ikë ajo”… Ndodhi ndonjë gjë e kësaj natyre? A janë sot? A kanë marrë më shumë investime komunat se ç’bënin më përpara apo kanë marrë më pak? Investimet e komunave nga iu erdhën? Nga vetja? Iu erdhën nga bashkimi", shtoi kreu i qeverisë.
(A2 Televizion)