Në podacastin e së dielës “Flasim”, kryeministri Rama riktheu atë që qeveria e ka quajtur sukses të Shqipërisë në renditjen “Pisa 2025”, duke ndarë edhe rendin e meritave për rezultatin. Të fundit rendit nxënësit.
“Po nis një vit i ri arsimor. Nga ana tjetër unë nuk mund të rri dot pa e shfrytëzuar edhe këtë rast për të nënvizuar kënaqësinë e jashtëzakonshme për rezultatet e testit ndërkombëtar Pisa 2025. Rezultate të cilat janë fryt i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, i një përpjekje për të rritur ë jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, as thjesht cilësinë e teksteve, por edhe cilësinë e administrimit të shkollave, ku sot kemi një numër jo të vogël gjithmonë e më të madh drejtuesish, të cilët të gjithë kalojnë nga një shkollë e specializuar e drejtimit të shkollës, shkolla e drejtorëve. Dhe patjetër edhe si rezultat i gjithë intensitetit të ndërveprimit mes shkollës, prindërve. Pa diskutim nuk u heq asnjë presje atyre që nënvizoi meritën e nxënësve, por nga ana tjetër nxënësit ishin po aty, ndërkohë që pjesët e tjera nuk ishin aty ashtu siç duhet dhe prandaj rezultatet e PISA-s më parë nuk kanë qenë të tilla dhe prandaj Shqipëria e filloi këtë ngjitje drejt majës së klasifikimit në Ballkanin Perëndimor nga fundi. Ishim të fundit, të fundit me distancë të tjerët dhe sot jemi të parët në matematikë”. (A2 Televizion)