Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet dhe Sali Berisha vijon të denoncojë parregullsitë që sipas tij kanë ndodhur gjatë fushatës elektorale, ku akuzon qeverinë se ka shkelur ligjet për të favorizuar Partinë Socialiste.
Në një konferencë për mediat, lider demokrat teksa akuzoi Ramën se ka shkatërruar bujqësinë dhe blegtorinë në 12 vite qeverisje, me anë të skemës së dhënies së kredive të buta për fermerët ka përfituar mijëra vota.
“U kujtua në vitin elektoral të shpërndajë 200 milionë euro garanci 70 përqind të kredive të buta për fermerët. Natyrisht jo për fermerin e vërtetë, por për fermerët e qeverisë, për fermerët e lidhur me qeverinë dhe kundrejt shpërblimeve të mëdha në vota”.
Sipas Berishës kundërshtari i tij politik ka blerë vota edhe me subvencionet që dha për fermerët para zgjedhjeve.
“Skema e dytë është programi kombëtar i subvencioneve në bujqësi. Totali i parashikuar në buxhet është 44 milionë euro. VKM u miratua me datën 3 mars, periudha e aplikimeve 14 prill-30 maj. Pikërisht afati është e gjithë koha zgjedhore, para ose pas zgjedhjeve. O votat, o këto nuk i merr”.
Berisha tregoi edhe njëherë se nuk beson te institucionet e drejtësisë për të depozituar padi, pasi akuzon SPAK se nuk po heton as çështjen për abuzimet me fondet e IPARD.
“Ajo çështje është, gjoja në hetim, por ajo është një çështje jashtëzakonisht e rëndë, e cila është akuzuar nga Skapi i partisë dhe siç e dini ju, Krifca e famshme është këshilltarja më e afërt e Edi Ramës, mbasi duket se edhe duart e tij të zeza, janë shtrirë mbi fondet e qytetarëve europianë”.
Kreu i opozitës premtoi dhe një analizë më të thellë për këtë çështje, për të kuptuar se në cilat zona PS ka përfituar më shumë nga këto skema në bujqësi gjatë zgjedhjeve. (A2 Televizion)