“Europa e rrezikuar”, Rama në Bavari: Të rishpikim veten për të mbrojtur shpirtin e saj

Nga Fjorela Beleshi
15 Korrik 2025, 15:20 | Politikë

Në pallatin e artit Herrenchiemsee, në Bavari, për të folur për Europën, Kryeministri Edi Rama zgjodhi të sillte reflektimet e tij mbi Shqipërinë e kohës së shkuar, të tashme dhe të ardhme, në raport me familjen europiane.

“Ne, në Shqipëri, e dimë ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra, jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë, të shkëputur nga simfonitë dhe sonatat që mbushnin sallat e koncerteve të Europës së lirë. Sot, muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin. Sot, muzikantët gjermanë interpretojnë në Tiranë. Tani fëmijët tanë rriten pa ëndrrën për t’u arratisur, por për të bashkëpunuar. Kjo është Europa që bën atë për të cilën është krijuar: të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit, tha Rama.

Duhet ndryshuar qasja se si duhet ta trajtojnë shtetet kontinentin e vjetër, pasi, sipas Edi Ramës, Europa nuk duhet trajtuar si një fuqi nga e cila duhet të përfitosh, por edhe si një realitet për të cilin duhet të kujdesesh, shkruan a2 CNN.

“Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën. Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore nuk janë të kundërta – janë binjake. Se begatia pa poezi është e zbrazët, se pushteti pa kujtesë është i verbër, se Europa pa shpirt nuk është më Europë”, tha kryeministri.

Shefi i qeverisë shqiptare u tregoi të ftuarve se si e ëndërron ai Europën. “Europa që unë ëndërroj nuk është ajo ku flasim të gjithë të njëjtën gjuhë apo besojmë të njëjtat gjëra. Le të jemi siç ishte Ludvigu – të marrë, të paktën një grimë, ndoshta jo edhe aq sa ai. Të marrë deri aty sa të besojmë në bukuri, të marrë deri aq sa ta mbrojmë. Dhe nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet, njëkohësisht, të rishpikim veten, për të mbrojtur shpirtin e Europës”, u shpreh ai.

Pavarësisht toneve romantike të Kryeministrit Rama për Europën në Bavari, vendi ynë duhet të kryejë disa reforma të thella, përpara se të bëhet një shtet vendimmarrës në familjen europiane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos