Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar denoncimet për zgjedhjet e 11 majit. Në konferencën me gazetarët kreu i selisë blu ka publikuar një video nga disa qendra votimi të Bashkisë së Krujës. Sipas Berishës në të shihet “policia që kontrollonte në mënyrë antiligjore dhe anti-kushtetuese votën e qytetarëve”.
“Sot, këtu kemi video, nga një seri qendrash të Bashkisë së Krujës, ku ju do të shihni se si u votua në këtë bashki, ndërkohë që, policia politike e patronazhistëve kontrollonte në mënyrë antiligjore, antikushtetuese votën e qytetarëve, ose qytetarët votonin kolektivisht, ose votonin duke patur kamerat mbi kokë, në mënyrë që t’u lexohej vota. Kjo është fshehtësia e votës”.
Duke i cilësuar farsë elektorale zgjedhjet, Berisha tha se mungesa e votës së lirë është problemi themelor i shkatërrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Tani, rikthehemi tek problemi themelor, shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Farsa elektorale 11 maj, 2025. Në themel te shkretimit të Shqipërisë, të përgjysmimit në 10 vite të popullatës së saj. Në themel të rritjes së madhe të varfërisë në këtë vend. Në themel të dominimit total të Shqipërisë nga kartelet e drogës dhe krimi, qëndron mungesa e votës së lirë të shqiptarëve me një ndërthurje të këtyre faktorëve, ndaj dhe PD është e vendosur të paraqesë para shqiptarëve të gjithë farsën e shëmtuar që ndodhi më 11 maj, me besimin e plotë se, do të jetë një motiv i madh për ta për t’u ngritur dhe rivendosur me çdo çmim dhe me çdo kusht votën e lirë në Shqipëri, për t’u përballur me narkoshtetin”.
(A2 Televizion)