Mungesa e analizës dhe mbajtja e përgjegjësisë për rezultatin e 11 Majit, ka zhgënjyer dhe Adriana Kalanë. Në një mesazh drejtuar anëtarëve të degës 8, ku dhe garoi në 11 maj, Kalaja i informon për vendimin që ka marrë, tërheqjen e përkohshme nga politika aktive, shkruan A2 CNN.
Kryetarja e Gjykatës së PD deklaron se duhet vijuar denoncimi për ata që demokratët e quajnë farsë elektorale, por paralelisht duhet nisur puna dhe për analizën e rezultatit. Sipas saj nëse nuk reflektohet tani “do shohim të njëjtin skenar edhe në 2029”.
Problemin Kalaja duket se e ka edhe me Berishën, të cilin e bën fajtor për situatën në të cilën ndodhet opozita, pasi sipas saj kreu i PD nuk ka reaguar si duhet për të parandaluar konfliktin e brendshëm dhe ky fakt thotë ajo solli dhe humbjen. Ajo sqaron se vijon të jetë në krye të Gjykatës së PD, dhe se do të rikthehet të kontribuoj në parti kur Berisha ta riorganizojë nga e para. (A2 Televizion)