Sali Berisha përjashtoi nga gara për kreun e PD-së Korçë Bravald Xhafkën, i cili më herët ka mbajtur pozicionin e sekretarit organizativ në PD-në e Korçës.
Duke folur në emisionin “Terminal” nga Aurora Sulçe në A2CNN, Xhafka pretendon se është përjashtuar vetëm për shkak të besimit të tij fetar. Ai thotë se e ka telefonuar Flamur Noka, duke i thënë se PD-së i duhet një balance fetare në qytetin e Korçës.
Xhafka thekson se Partia Demokratike nuk po funksionon më si institucion dhe vendimet nuk po komunikohen në mënyrë zyrtare.
“Jam përjashtuar nga gara për arsye të besimit fetar, me argumentin e balances fetare. Sipas drejtuesve të PD-së Korçës i nevojitej një balancë fetare, dhe unë meqenëse jam i besimit mysliman s’do jem pjesë e garës! E gjithë qytetaria korçare, jo vetëm PD-ja, jo vetëm strukturat e PD-së, kemi një bashkëjetesë të jashtëzakonshme, s’ka asnjë lloj problematike dhe shqetësimi. Vetëm drejtuesit e PD-së e kanë konstatuar këtë dhe jo qytetarët e Korçës. PD s’po funksionon më si institucion, s’kam njoftim zyrtar. Kam komunikuar në lidhje telefonike me Flamur Nokën.Më ka thënë do bëjmë balancën fetare”, tha ai. (A2 Televizion)