“Bruna dhe Ogerta fituese të padiskutueshme”, Rama: Këneta e dëshpëruar zgjodhi një aktor për Tiranën

Nga A2 CNN
26 Tetor 2025, 11:18 | Politikë

“Bruna dhe Ogerta fituese të padiskutueshme”, Rama: Këneta

"Bruna Mersini dhe Ogerta Manastirliu do të jenë fituese të padiskutueshme për Bashkinë e Vlorës dhe të Tiranës". Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në podcastin e tij “Flasim”, sipas të cilit kundërshtarët përballë tyre përfaqësojnë shëmbëlltyrën e humbjes së radhës së Partisë Demokratike.

“Është një risi absolute e zgjedhjeve të parakohshme vendore kandidimi i dy grave për Tiranën dhe Vlorën, dy qytete të dorës së parë për Shqipërinë, që do të drejtohen nga dy gra, të cilat kanë një karrierë shumë të ngjashme në një periudhë të caktuar kur kanë drejtuar respektivisht rilindjen e Qendrës Spitalore Universitare dhe të Spitalit Rajonal të Vlorës, dy realitete të transformuara tërësisht falë kapacitetit të tyre menaxherial dhe sidomos vullnetit të tyre të hekurt. Ato janë të dyja fituese të padiskutueshme të garave, ku kundërshtarët përfaqësojnë shembëlltyrën më kuptimplote të humbjes së radhës, të ndjesë pastë Partia Demokratike”.

Duke u ndalur te zgjedhjet për bashkinë e kryeqytetit, për të cilën ende nuk ka një datë, Rama tha se Florian Binaj po luan rolin e radhës, ndërsa zgjedhja e tij tregon dëshpërimin e kënetës, siç e quajti ai Partinë Demokratike.

“Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë.

Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”.

Edhe pse Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhjet në kryeqytet dhe 5 bashki të tjera, në Tiranë u pezulluan nga Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit që bëri Erion Veliaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos