Celibashi: Bashkëpunimi me SPAK, i suksesshëm!

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 12:08 | Politikë

Celibashi: Bashkëpunimi me SPAK, i suksesshëm!

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, e quajti të suksesshëm bashkëpunimin me Prokurorinë e Posaçme dhe atë të Përgjithshme në zgjedhjet e 11 majit.

“Ky proces dhe standardet e tij ishin produkti i këtij bashkëpunimi. Mendoj që tej kritikave dhe sarkazmës që ndonjëherë përfaqësues politikë kanë përdorur për këtë bashkëpunim, jam plotësisht i bindur që ka qenë bashkëpunim i suksesshëm”, tha Celibashi në një konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.

“Partitë politike të të gjitha krahëve kanë gjykimet dhe vlerësimet e tyre, kanë interesat e tyre në notat dhe vlerësimet që bëjnë, qoftë për SPAK, qoftë për KQZ, por mendoj se impakti ka qenë pozitiv”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK firmosën në shkurt të vitit 2025 një protokoll koordinimi për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kjo marrëveshje parashikonte mekanizma të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore, si dhe shkëmbim të shpejtë informacioni ndërmjet institucioneve.

SPAK, me mbështetjen e KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ngriti struktura monitorimi në nivel qendror dhe vendor, që punuan nga tre muaj para e deri pas përfundimit të votimeve. Gjithashtu, u krijua një platformë online për denoncime nga qytetarët dhe një qendër monitorimi zgjedhor pranë KQZ-së, ku u përfshinë përfaqësues të institucioneve për reagim të menjëhershëm në rast të shkeljeve.

Por pavarësisht kësaj nisme, opozita nuk e njeh rezultatin e 11 majit dhe akuzon SPAK se nuk ka bërë asgjë në ndalimin e “masakrës zgjedhore”, siç e quan ajo. Nga rezultati i zgjedhjeve, PS siguroi mandatin e katërt qeverisës me 83 mandate, PD mori 50 mandate, Partia Socialdemokrate 3 mandate, Partia Mundësia 2 mandate, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet morën nga 1 mandat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos