Kritikave se gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kishte takuar asnjë zyrtar shteti, Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur duke publikuar një fotografi ku shfaqet në krah të Presidentit Donald Trump.
Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan me nota ironie se foto është krijuar me inteligjencë artificiale.
“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me Inteligjencë Artificiale. Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prap si kokrrat e kandarit”, shkruan kreu i qeverisë, përcjell A2.
Kryeministri ishte në SHBA gjatë javës së kaluar ku mori pjesë në punimet e Asamblesë e Përgjithshme e OKB-së. (A2 Televizion)