
Aty ku në dy mandate parashikoi rezultatin e dy palë zgjedhjeve, diskutoi për mbi 4 orë me kryebashkiakët. Në Kuç të Vlorës, këtë radhë temë nuk ishte gara elektorale, por informimi i të zgjedhurve vendorë mbi reformën territoriale.
Protestat në terren u shfaqën edhe në tryezën e kësaj të mërkure. Mësohet se i pari që hapi debatin ishte kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj.
Burimet thanë se ai ka kërkuar sqarim se përse Peqini, Roskoveci dhe Vau i Dejës nuk shkrihen, kur kanë performancë më të dobët se njësia që ai drejton. Madje, ai ka shtuar se edhe reforma e vitit 2014 nuk solli rezultat pozitiv, duke përmendur rënien e popullsisë.
Në përgjigje, Rama mësohet se i ka tërhequr vërejtje për djegien e teserave të PS atje, duke e konsideruar të turpshme dhe se Zotkaj nuk duhej të ishte në takim. Nuk mungoi kundërpërgjigjja.
Mësohet se kryebashkiaku e cilësoi mosmirënjohje projektin e PS, ku Poliçani shkrihet dhe i bashkohet Beratit. “Paturpësinë nuk e bëmë ne, por ju që po merrni këto vendime”, mësohet të ketë thënë Zotkaj.
Nuk mungoi as shigjetimi ndaj drejtueses së Dimalit dhe atij të Divjakës, ku Juliana Memaj ishte e para që la takimin.
Megjithatë, burimet zyrtare thanë se Rama e konsideroi të suksesshme reformën territoriale të vitit 2014. Madje, ai ka shtuar se me ndryshimet e propozuara përfitimet do të jenë si në shërbime, administrim efikas, por edhe më shumë kapacitete. Ndërsa për njësitë që shkrihen, shtoi se do të kenë një nënkryetar dhe se do të kenë statusin e qytetit.
Tashmë, dokumenti që parashikon shkrirjen e 15 bashkive do të kërkohet të diskutohet me komunitetet, ndërsa në shtator do të nisë shqyrtimi në Parlament. PS synon që vendi të ketë 46 bashki, ndërsa opozita propozon kalimin në 100 të tilla.
(A2 Televizion)