Dita kur dielli zhduket, bota pret spektaklin kozmik, miliona drejt Spanjës për eklipsin. Miliona evropianë do ta vështrojnë me mahnitje qiellin të mërkurën, teksa një eklips i rrallë i plotë diellor përshkon një pjesë të kontinentit dhe zhyt një zonë të gjerë të Spanjës në një errësirë të pazakontë gjatë ditës.
Hija e krijuar kur Hëna mbulon Diellin do të shfaqet fillimisht në veriun e largët të Arktikut rus, dhe do të vazhdojë në formë harku mbi Groenlandë dhe Islandë. Në Spanjë, ku eklipsi i plotë do të mund të vëzhgohet më mirë, hija do të përshkojë vendin diagonalisht, nga bregdeti verior i Atlantikut drejt Detit Mesdhe.
Shumë më tepër njerëz do të mund të shohin një eklips të pjesshëm, i cili do të jetë i dukshëm në pjesën më të madhe të Evropës, në Kanada, në veri të Shteteve të Bashkuara dhe në veriperëndim të Afrikës.
Spanja është përfshirë tashmë nga ethet e spektaklit, teksa 6 milionë persona pritet të ndjekin eklipsin përgjatë zonës ku dielli do të mbulohet plotësisht nga hëna, e që shtrihet për rreth 200 kilometra, nga A Coruña në veriperëndim të vendit deri në ishullin e Mallorca-s.
Për astronomët, bëhet fjalë për një përvojë të jashtëzakonshme. Ajo që presim është të kemi një ditë shumë produktive dhe emocionuese, për një përvojë që të ndryshon jetën, siç është një eklips diellor, një eklips i plotë diellor.”
Interesi ka qenë aq i madh sa syzet speciale për vëzhgimin e eklipsit janë shitur në shumë qytete. Edhe kompanitë ajrore po përgatiten: Iberia do të transmetojë pamje të drejtpërdrejta nga një fluturim në rreth 10 mijë metra lartësi.
Autoritetet spanjolle kanë marrë masa të jashtëzakonshme sigurie, duke parashikuar deri në 1.5 milionë udhëtime shtesë me makinë. Mbi 24 mijë efektivë policie do të angazhohen, ndërsa temperaturat mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius dhe rreziku nga zjarret mbetet i lartë.
Për ata që do ta ndjekin eklipsin në Spanjë, në zonën ku do të kalojë i plotë, momenti kulmor do të jetë nga ora 20:26 deri në 20:33, sipas vendndodhjes, pak para perëndimit të diellit.
Për më pak se dy minuta, Hëna do të kalojë përpara Diellit dhe hija e saj do të mbulojë një pjesë të Tokës, duke krijuar një nga fenomenet më spektakolare që mund të shohë syri i njeriut. Eklipsi total do të jetë i pari në Europën kontinentale në dy dekada. (A2 Televizion)