Përfundon pas 4 orë e gjysmë takimi i Ramës me kryetarët e bashkive, çfarë u diskutua

Nga A2 CNN
12 Gusht 2026, 17:43 | Politikë

Ka përfunduar pas rreth 4 orësh e 30 minutash takimi i organizuar nga kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive në rang qarku, si dhe me drejtuesit e bashkive që parashikohet të shkrihen në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.

Mësohet se gjatë mbledhjes ka pasur diskutime të ndryshme mbi reformën dhe ndryshimet e propozuara në hartën e bashkive, shkruan A2 CNN.

Kryetarët e bashkive që parashikohet të mos jenë pjesë e hartës së re kanë paraqitur opinionet dhe qëndrimet e tyre, duke argumentuar arsyet se përse bashkitë që drejtojnë duhet të vijojnë të ekzistojnë. Në takim janë diskutuar gjithashtu edhe argumentet pro bashkimeve të propozuara.

Sipas burimeve, diskutime ka pasur me të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm.

Në takim kanë qenë:

1. Kryetarja e Bashkisë Durrës

2. Kryetari i Bashkisë Shkodër

3. Kryetari i Bashkisë Kukës

4. Kryetari i Bashkisë Elbasan

5. Kryetari i Bashkisë Korçë

6. Kryetari i Bashkisë Berat

7. Kryetari i Bashkisë Vlorë

8. Kryetari i Bashkisë Gjirokastër

9. Kryetarja e Bashkisë Klos

10. Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë

11. Kryetarja e Bashkisë Dimal

12. Kryetari i Bashkisë Poliçan

13. Kryetari i Bashkisë Patos

14. Kryetari i Bashkisë Divjakë

15. Kryetari i Bashkisë Selenicë

16. Kryetari i Bashkisë Maliq

17. Kryetari i Bashkisë Këlcyrë

18. Kryetari i Bashkisë Cërrik

19. Kryetari i Bashkisë Belsh

20. Kryetari i Bashkisë Libohovë

Takimi u zhvillua në Kuç, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte reforma territoriale dhe e ardhmja e bashkive që parashikohet të bashkohen.

Qeveria tha përmes një njoftimi se takimi i Kryeministrit me kryetarët e bashkive ishte një takim informues për ato bashki që parashikohet të bashkohen, me qëllim shpjegimin e reformës së propozuar nga Partia Socialiste dhe diskutimin e hapave të mëtejshëm.

“Kjo është një reformë për Shqipërinë dhe jo një reformë për një bashki apo për një tjetër. Përvoja e Reformës Administrative-Territoriale të vitit 2014 tregoi se, sa herë bashkitë bashkohen, përfitimet janë të përbashkëta më shumë kapacitete, shërbime më të mira dhe një administrim më efikas.

Edhe në rastin e Divjakës dhe Dimalit, bashkimi synon të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët. Roli i qytetit do të mbetet i qartë në funksionimin e njësisë së re vendore dhe në ruajtjen e shërbimeve që ofrohen sot.

Ky është një nga garancitë kryesore që qytetarët duhet të kenë cenimin e shërbimeve që sot ofrohen nga bashkitë aktuale.

Reforma do të vijojë përpara, përmes konsultimeve të nevojshme me bashkitë, komunitetet dhe të gjithë aktorët e përfshirë, me synimin për të ndërtuar një organizim vendor më funksional, më efikas dhe më pranë qytetarëve”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos