“Lartmadhëria prishi pushimet, hall i madh”, Korreshi ironizon Ramën: Në Lushnje s’pastrohen kanalet

Nga A2 CNN
12 Gusht 2026, 18:59 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka komentuar takimin e Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutua për reformën e re territoriale.

“Nuk e di se si do ta përballojmë gjithë këtë dhimbje që na paska prishur Lartmadhëria pushimet ditore”, ironizoi Korreshi, i ftuar në Ditarin e Pasdites në A2 CNN, nga Pandi Gjata.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, bashki e cila sipas projektligjit të ri është parashikuar të shkrihet dhe të bashkohet me Lushnjën. “Shpresoj që ato përrallat që u tha qytetarëve të vet, të ketë pasur guximin që, t’ia thoshte diçka dhe atij, arsyet që nuk duhet të bashkohet bashkia. E para njëherë, ku është kjo superperformancë e Bashkisë Lushnjë, që është që të hap barkun? Dhe po të vij këtu nga mëngjesi në darkë, plehrat po na mbytin”, tha Korreshi.

“Katundet e Myzeqesë këta i kanë lënë në harresë. Si në Bashkinë Divjakë, si në Lushnjë, kanalet janë pa pastruar. I marrin lekët e taksave të gjithë bujqve dhe fermerëve, ose të gjithë atyre që kanë mjete bujqësore, po nuk ua përkthejnë në shërbim. Nuk po flasim për rrugët e parcelave, që tashmë është mirazh, por pastrim kanalesh apo të ketë ndonjë premisë...”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos