Denoncon Ramën në OSBE, Berisha: Narkoshteti po largon shqiptarët dhe dëmton ekonominë

Nga Fjorela Beleshi
2 Korrik 2025, 14:21 | Politikë

Kryetari i PD, Sali Berisha, vijon me denoncimet kundër qeverisë së Edi Ramës në Asamblenë e OSBE-së që po mbahet në Porto të Portugalisë. Emigrimi për shkak të keqqeverisjes, sipas Berishës, po plak Shqipërinë.

“Kombi im ka humbur më shumë njerëz sesa çdo komb tjetër, madje edhe nga vendet në luftë apo në konflikte civile, rajonale ose botërore. 45% e shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve. Statistikat e vendit tim tregojnë se shkalla e lindshmërisë sot është aty ku ishte para 100 vitesh. Pse një goditje kaq shkatërruese demografike? Arsyeja kryesore është: narkodiktatura. Siç e theksova më parë, Shqipëria është narkodiktatura e parë dhe e vetme në Europë”, tha Berisha, raporton A2 CNN.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama për zhvlerësimin e qëllimshëm të monedhës Euro në Shqipëri, për të pastruar paratë e krimit.

“Monedha europiane në Shqipëri është zhvlerësuar 35–38%. Kjo ka vrarë qindra e qindra ndërmarrje eksportuese, sepse narko-euro hyn në vend përmes kontejnerëve, përmes të gjitha mjeteve, dhe 80% e investimeve në sektorin e ndërtimit nuk vijnë nga bankat, por nga nëntoka. Ky proces drejtohet personalisht nga narkodiktatori, i cili ka krijuar një sindikatë me kartelet e drogës dhe u jep atyre çdo mundësi dhe liri për të pastruar paratë në vendin tim”, tha Berisha.

Berisha nuk la pa shfrytëzuar këtë mundësi duke i dhënë zë pretendimeve të partisë që drejton, se zgjedhjet në Shqipëri janë marrë peng, sipas tij, nga ajo që e quan “partia-shtet” e Edi Ramës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos