Analisti Lorenc Vangjeli ka hedhur një tjetër tezë interesante mbi zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Debat” me Alba Alishanin në A2 CNN, Vangjeli paralajmëroi se vendi mund të përballet së shpejti me një zgjedhje strategjike jo të lehtë: midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ndoshta Shqipëria mund të jetë përballë një zgjedhjeje të jashtëzakonshme, të cilën në mënyrë shumë të thjeshtë unë do t’iu thosha që do të duhet të zgjedhë midis Brukselit dhe Uashingtonit,” tha Vangjeli.
Ai shtoi se pak muaj më parë një përplasje e tillë mes dy partnerëve më të rëndësishëm strategjikë të Shqipërisë as që mund të imagjinohej. “Askush nuk e imagjinonte një kurs përplasjeje të SHBA-ve me Europën, një ndarje që niset jo vetëm nga interesa, por edhe nga filozofi të ndryshme,” theksoi analisti.
Sipas Vangjelit, presidenca e Donald Trump ka luajtur një rol kyç në këtë ndarje të re të qasjeve mes dy aleatëve tradicionalë. “Trump në një mënyrë apo në një tjetër e zgjoi Europën, por ky është një lloj zgjimi nga ankthi i saj që ka të bëjë me çështje të sigurisë, por edhe të zhvillimit ekonomik,” u shpreh ai. (A2 Televizion)