Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për herë të 23-të radhazi të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Dështimi për ta konstituuar Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha pas seancës se partitë opozitare janë pajtuar që të bllokojnë Kuvendin me qëllim të parandalohet formimi i qeverisë Kurti 3.
Nga ana e tij, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se nuk kanë qëndrim nëse do e votonin Fatmir Limajn për kryeparlamentar. Në seancë Haradinaj deklaroi se ka shpresuar që do të ketë ndryshim të propozimit për kryeparlamentar.
Ndërsa, kreu i Partisë Demokratike të Kosovë, Memli Krasniqi ka përsëritur qëndrimin se nuk e votojnë asnjë prej deputetëve që kanë qenë anëtarë të qeverisë Kurti. Ai tha se bllokada në Kuvendin e Kosovës është iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Reagim pati edhe nga Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili tha se ka një “marrëveshje xhentëlmene” me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai deklaroi se ka alternativa, por që nuk e di nëse do të shfrytëzohen. Ai nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve se a është i vendosur që të mos votojë derisa të propozohet emri i tij. Para mediave, Limaj ka thënë se ka biseduar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe se ditëve në vijim do të takohen (A2 Televizion)