“Vota e diasporës u manipulua”, Berisha denoncon parregullsi, Xhaferraj i kërkon dorëheqjen

Nga Anesti Barjamemaj
29 Maj 2025, 18:05 | Politikë

Postieri i DHL në Firence të Italisë, Sinan Patozi, u akuzua nga Sali Berisha se ka marrë pjesë në atë që e quan farsën elektorale të 11 majit. Teksa tregoi disa foto dhe video se si postieri i DHL deklaronte se mund të plotësonte personalisht fletët e votimit, e më pas shkonte në takimet e socialistëve në Itali, Berisha pohoi se manipulimet janë kryer me urdhër të Taulant Ballës. 

“Faktojnë se patronazhisti është personi që merr në dorë votën e diasporës. I cili drejtohet direkt nga famëziu Taulant Begojaris. Ja ku e keni. Krenar njëri me tjetrin për krimin që kryejnë. Ja ku është. Votat në duart e partisë së krimit”, tha Berisha, shkruan A2.

Berisha pohoi se ky nuk është një episod i izoluar dhe shtoi se demokratët kanë materiale të tjera që do t’i publikojnë në vijim për të faktuar akuzat e tyre: “Votat e diasporës u shtetëzuan dhe u manipuluan në shkallën që deshi partia e krimit. Në shkelje të plotë të kontratës dhe sigurisht ka vetëm një konkluzion: këto zgjedhje nuk mund të njihen kurrë”.

Në përfundim të konferencës me median, Berisha zhvilloi një takim disa minutësh me drejtuesit politik në qarqe. Takimi nuk u fokusua te analiza e brendshme e demokratëve, por mësohet se kryetari u ka kërkuar të përfundojnë raportet me denoncimet për atë që quajnë farsë elektorale. 

Më herët, nga oborri i Kuvendit, deputeti demokrat Ferdinant Xhaferri kërkoi reflektim për rezulatin e 11 majit. Sipas tij, akuzat e Berishës për manipulime në zgjedhje qëndrojnë, por kërkon prej tij një hap pas: “Problemi shtrohet, a mund të jetë Berisha zgjidhja? Pra, a mund të largohet Rama që është i korruptuar dhe ka vjedhur zgjedhjet, për t’u zëvendësuar nga zoti Berisha që, si nga Departamenti i Shtetit, ashtu edhe Ministria e Jashtme britanike, e kanë shpallur të padëshiruar për korrupsion”.

Xhaferraj është i vetmi demokrat që ka artikuluar në publik kërkesën për largimin e Berishës nga drejtimi i PD.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos