Dyfishim buxheti për bujqësinë, rrugë të reja në çdo fshat dhe subvencione më shumë se 200 milionë Euro. Me këto premtime shkoi Sali Berisha në Dimal këtë të premte, ku takoi fermerët e qarkut të Beratit. Lideri opozitar tregoi dhe qëllimet e programit të Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
“Ky program ka si qëllim më kryesor suksesin dhe rritjen e mirëqenies të fermerëve shqiptarë, të cilët ndërtojnë jetën e tyre me lumenj djerse dhe sakrifice”.
Berisha theksoi se subvencionet do të rriten për të konkurruar fermerët e rajonit, ndërkohë tregoi dhe skemën se si do të shpërndahen paratë te qytetarët.
“Ne nga 32 do kalojmë në 230 milionë me të cilat do subvencionojmë çdo fidan që do mbillni, çdo kokë bagëti që do mbani, çdo njësi prodhimi. Ky do jetë zotimi solemn i yni për ju”.
Problemin te bujqësia e shikon edhe te grumbulluesit, ku thekson se fermerëve u bëhen padrejtësi të mëdha.
“Grumbulluesve unë u them këtu se i mbështesim, jemi të gatshëm t’i kreditojmë me kredi të buta dhe lehtësira të tjera, por çmimet nuk mund të jenë monopol. Nuk do jenë çmime që do vrasin prodhimin”.
Për të pasur zhvillim fshati, lideri opozitar premtoi edhe rregullimin e të gjitha rrugëve rurale si dhe u angazhua për ndalim të imputeve bujqësore që nuk lejohen në vendet e BE. (A2 Televizion)