Tom Doshi nuk ka zyra partie. Socialdemokratët e tij kanë tre mandate në Kuvend dhe si parti parlamentare janë ankuar te kryekomisioneri Ilirjan Celibashi se nuk kanë zyra në bashkitë e vendit. Në një dokument që mban firmën e Tom Doshit, kërkohet prej Celibashit që të nxisë kryetarët e Bashkive për t’i mundësuar gjetjen e hapësirave të lira për zyra, pa pasur nevojë që të paguajnë palë të treta, por të jenë prona shtetërore.
Referuar rezultatit në zgjedhjet e vitit 2025 dhe 2021, Doshi deklaron se përmbushin të gjitha kriteret për të marrë këtë benefit nga shteti.
“Kemi kërkuar paraprakisht zyrtarisht nga organet e pushtetit vendor në 60 bashki të RSH-së që të na pajisin me ndërtesë për zyrat vendore të PSD-së. Nga përgjigjet zyrtare që kemi marrë nga organet e pushtetit vendor (bashkitë), jemi bërë me dijeni se vetëm Bashkia Elbasan ka disponuar ambient për pajisjen tonë me zyrë vendore dhe ndërkohë gjitha bashkitë e tjera na kanë njoftuar se nuk disponojnë ambiente të lira për subjektin tonë politik”, thuhet në kërkesën e PSD-së.
Një tjetër argument i përdorur nga PSD është edhe mungesa e financave, pasi siç pohojnë vetëm për zyra kanë shpenzuar më shumë se milionë Lekë të rinj.
“Subjekti i ndodhur në kushtet e mungesës së likujditeteve ka qenë i dhe mbetet i detyruar kontraktojë ambiente vetëm në periudhat e fushatave zgjedhore për një pjesë të zyrave vendore, duke mbetur për këtë arsye i cenuar në ushtrimin e aktivitetit të vetë politik në pjesën më të madhe të territorit pikërisht për shkak të burokracisë dhe mungesës së likujditeteve edhe për atë pjesë të aktivitetit për të cilën ligji ja ngarkon mbulimin e shpenzimeve shtetit”.
Pak ditë më parë një kërkesë të ngjashme dorëzoi në KQZ edhe Partia Mundësia e Agron Shehajt. Me dy deputetë në Kuvend kjo parti kërkon që të ketë seli qendrore të paguar nga shteti. (A2 Televizion)