Besart Xhaferri, deputet i PD-së, ishte i ftuar në Ditarin e pasdites në A2 CNN nga Pandi Gjata ku foli për kandidatin e mundshëm për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Berisha njoftoi sot 3 prej zyrtarëve të PD-së, Këlliçi, Noka dhe Alimehmetin, të cilët do të negociojnë për zgjedhjen e kryetarit. Ndërkohë, Xhaferri u shpreh se ky është një proces që do të mbyllet shumë shpejt duke bërë një zgjedhje nga 6 apo 7 alternativa që janë nga opozita, shkruan A2 CNN.
“Do të jetë një negociatë shumë e shpejtë. Do të ofrohen 6 apo 7 emra që ne i kemi dhe më pas do të shihet kush përshtatet në mënyrë që të gjithë të jenë të përfaqësuar. Këta janë emra nga PD, por edhe nga lista e 11 majit, nga ku kishte emra jo vetëm eksponentë politikë, por edhe profesionistë në fusha të ndryshme, kishte biznesmenë, emra nga diaspora. Megjithatë, mund të jetë edhe një eksponent i PD-së, por i pranuar nga të gjithë. Patjetër që duhet të bëjë një fushatë model, mbipartiake, me një administratë në hije. Emrat do të dalin, kush janë administratorët, kush do të zëvendësojë drejtorët e 5D, kush janë nënkryetarët. Kështu besoj se ne do të kemi kartën morale dhe patjetër Tirana do të mbështesë duke i dhënë një shuplakë kësaj autokracie në instalim të cilën të gjithë e kuptojnë pas 11 majit se çfarë po ndodh”, tha Xhaferri. (A2 Televizion)