
Një ditë pas mbledhjes së tensionuar mes kryeministrit Edi Rama dhe disa kryebashkiakëve të majtë, Bashkia e Patosit ka njoftuar mbajtjen e një dëgjese publike në lidhje me ndarjen e re territoriale.
Në njoftimin e bashkisë thuhet se: “Këto konsultime publike synojnë realizimin e një procesi transparent mbi marrjen e opinioneve, rekomandimeve të gjithë banorëve të bashkisë Patos dhe njësive të vetqeverisjes vendore, grupet e interesit dhe aktorët e tjerë mbi reformën Administrative-Territoriale 2.0 dhe funksionimin e saj”.
“Pjesëmarrja juaj në këtë dëgjesë publike është shumë e rëndësishme për garantimin e një procesi sa më transparent dhe gjithëpërfshirës!”, vijon njoftimi.
Kujtojmë që dhjetëra qytetarë të Patosit kanë protestuar në qendër të qytetit duke kundërshtuar çdo propozim për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.
(A2 Televizion)