Politologu Afrim Krasniqi analizoi reformën territoriale dhe ndikimin e saj në qeverisjen lokale, duke theksuar se bashkitë shqiptare kanë humbur kompetencat e tyre kryesore. I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Krasniqi vuri në dukje se një nga gabimet më të mëdha është mungesa e një vizioni ekonomik afatgjatë.
“Detyra kryesore e shtetit është të parashikojë se cili do jetë trendi i zhvillimit dhe interesi ekonomik i Shqipërisë në dekadat e ardhshme. Kush është sektori kryesor fitimprurës? Turizmi, bujqësia. Kush do jetë prioriteti si rajon dhe sektorët që mund të kenë potencial për Shqipërinë,” theksoi ai, duke shtuar se ky kusht, i domosdoshëm për çdo reformë territoriale në Europë, mungon në Shqipëri.
Krasniqi kritikoi strukturën aktuale të administratës, ku shumë drejtorë dhe inspektorë emërohen nga Tirana, duke lënë kryetarët e bashkive pa autoritet real për të menaxhuar shërbimet vendore.
“E gjithë struktura e shërbimeve, me hartë gjyqësore, prokurori, gjyqësor, drejtori Arsimi, drejtori Shëndetësore, Polici, deri te Inspektori i Pyjeve dhe i Mjedisit emërohen nga Tirana. Praktikisht kryetarët atij s’kanë asgjë në dorë në aspektin e një qeverisje që duhet të ishte plotësuese në funksionimin e shtetit,” shpjegoi ai.
Ai shtoi se bashkitë nuk janë përgjegjëse për borxhet, pasi u janë marrë kompetencat. “Nëse marrim kriterin e borxheve, duhet të mbyllim qeverinë sot, sepse borxhi që ka është shumë më i madh se çdo institucion tjetër. Bashkitë s’janë në borxh, sepse kanë zgjedhur të jenë në borxh. Bashkive u janë marrë kompetencat", u shpreh ai.
(A2 Televizion)