
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në “Ditari i Pasdites” në A2 CNN nga Pandi Gjata, ka komentuar procesin e integrimit europian, duke kundërshtuar deklaratat e ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.
I pyetur mbi qëndrimin e Hoxhës, i cili tha se nuk ka bllokim të procesit, por vetëm vonesa për shkak të negociatave mes Këshillit, vendeve anëtare dhe Komisionit Europian, Këlliçi akuzoi qeverinë për mashtrim të opinionit publik.
Pandi Gjata: Integrimi në Bashkimin Europian është bërë kryefjalë e ditëve të fundit. Ju akuzoni që për faj të Ramës, sjelljeve dhe veprimeve të tij, procesi është bllokuar, por sot pamë ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha, që tha se nuk kemi asnjë bllokim të procesit të integrimit.
Belind Këlliçi: Është për të ardhur keq që mashtrohet opinioni publik dhe gënjehen qytetarët shqiptarë, edhe nga ministra që në profilin e tyre duken teknikë dhe kanë qenë gjithë jetën të tillë. Por në momentin që marrin një pozicion politik kaq të lartë dhe prestigjioz, siç është ai i ministrit të Jashtëm, vihen menjëherë në shërbim politik të eprorit të radhës.
Kjo nuk duhet të ndodhte dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë qeverisje, sidomos kur bëhet fjalë për dikastere të një rëndësie të veçantë si Ministria e Jashtme. Zoti Hoxha e di më mirë se unë se cila është situata reale në raport me Komisionin Europian dhe kërkesat që kanë vendosur drejtuesit më të lartë të tij.
Duke folur edhe për protestat e opozitës dhe reagimet ndërkombëtare, deputeti demokrat përdori tone të forta ndaj qeverisë, duke lënë të kuptohet se në protestat e ardhshme mund të pritet përshkallëzim.
Belind Këlliçi: Këtu duhet të ishte vend zjarri kryeministria me çfarë ka ndodhur deri tani me paratë e qytetarëve dhe me kriminalizimin e ekonomisë. Zjarri me kohë, sepse do të ishte e vetmja zgjidhje për qytetarët dhe për klasën politike majtas e djathtas, në mënyrë që politikanët të tremben para sovranit, para qytetarëve.
Nuk mund të tallesh me qytetarët. E mbani mend me çfarë premtimesh ka ardhur Edi Rama në qeveri në 2013? Legalizime falas, ujë 24 orë, shëndetësi.
Mjaftojnë këto të treja për të kuptuar se pas 13 vitesh në pushtet, dhe duke i përsëritur sërish këto premtime, qytetarët shqiptarë duhet ta kishin ndëshkuar tashmë këtë qeverisje. (A2 Televizion)