Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak në Durrës zhvilluar mesditën e së mërkurës, ju hap rruga prerjes masive të pyjeve në zonën e Gjirit të Lalëzit, me qëllim ndërtimin e një kompleksi turistik. Bashkë me votat e Këshilltarëve të Partisë së Lirisë, duke bërë bashkë 31 vota pro këshilltarët votuan për projekt vendimin e propozuar nga Bashkia Durrës, për ndryshimin e kategorisë së një sipërfaqe pyjore 8000 metra katrorë në zonën e Gjirit të Lalzit.
Këshilltarët e Partisë së Lirisë i bashkuan votat me ato të këshilltarëve të majtë dhe me 31 vota pro, projektvendimi mori miratimin. Ndërsa këshilltarët e djathtë ishin vetëm 3 prezentë në mbledhje dhe ata votuan kundër. Ndërtimi i resortit turistik, pjesë e një serie resortesh në zonë me të njëjtin emër, ka marrë më parë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).
Këshilltarët Ardian Muka dhe Dritan Burgija u shprehën në fjalën e tyre në këshill se nuk ishin kundër zhvillimit, por bregdeti i Durrësit është betonizuar dhe një tjetër resort do të përkthehet në më pak gjelbërim.
Këshilltarët e majtë thanë se kompleksi pritet t’i japë një hov më të madh zhvillimit të turizmit dhe në të do të punësohen dhjetëra punonjës. Por me gjithë debatet ky projektvendim tashmë i hapi rrugën një tjetër resorti në një nga zonat më të lakmuara turistike në Gjirin e Lalzit. (A2 Televizion)