Drejtuesi i koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', deputeti Dashamir Shehi, është shprehur se bizneset e mesme dhe të vogla po zhduken në Shqipëri.
Komentet Shehi i bëri gjatë fjalës së tij në një takim të koalicionit 'Djathtas për Zhvillim' me bizneset dhe qytetarët te 'Tregu Çam' në Tiranë.
Shehi tha gjithashtu se ekonomia shqiptare po përqendrohet në duart e 4-5 oligarkëve, gjë që sipas tij nuk duhet të ndodhë.
Ai ftoi qytetarët që të votojnë koalicionin 'Djathtas për Zhvillim', pasi sipas Shehit, platforma e tyre parashikon lehtësira për biznesin e vogël dhe të mesëm.
"Situata në terren, po qe për ekonomike, është kjo që është. Dikur këtu blinte gjysma e Tiranës. Tani e shihni vetë që është bosh dhe unë kam frikë se do të bjerë fare. Për sa kohë që ekonominë e kontrollojnë 4-5 duar, hyrje dalje këtu nga gjithë bizneset i kanë marrë grosistët, siç po marrin çdo gjë, po e marrin edhe këtë. Ishin të vegjël, po bëhen më të vegjël dhe po zhduken fare. Të mëdhenjtë po bëhen edhe më të mëdhenj. Ne mendojmë që në ekonomi duhen përfshirë të gjithë", tha Shehi. (A2 Televizion)