Dyshimi përfletë fiktive, KAS hap vetëm 4 kuti të Vlorës, PD kërkoi 43 qendra votimi

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 16:48 | Politikë

Saga e ankimeve pas zgjedhore vijoi në etapën e Vlorës ku Partia Demokratike kërkoi hapjen e 43 kutive, me pretendimin se fletët e votimit të papërdorura janë shënuar me numrin 0 nga komisionerët, që sipas tyre është indicie për manipulim.

Pas pesë orësh diskutime, KAS doli në konkluzionin për të hapur vetëm katër kuti, që do të shërbejnë si bazë për të vlerësuar nëse ka arsye të mjaftueshme për të vijuar me hapjen apo jo të 39 kutive të tjera.

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve plotësoi pjesërisht kërkesën e demokratëve duke vendosur rinumërimin e vetëm katër kutive nga 43 të kërkuara prej PD-së në qarkun e Vlorës.

Shqyrtimi i procesverbaleve të qendrave të votimit kishte nxjerrë që në 43 QV, komisionerët kishin shënuar shifrën 0 te kolona e fletëve të votimit të papërdorura, që për demokratët është dëshmi se ka pasur manipulim të fletëve të votimit.  

Sipas PD, ky fenomen evidentohet në mbi 200 QV në të gjithë vendin, me një total prej rreth 130 mijë fletësh votimi që rezultojnë të jenë tepër, krahasuar me pjesëmarrjen në votim. Administrata e KQZ e konsideroi këtë fenomen si gabim logjik, ku komisionerët e kanë interpretuar jo sic duhet mënyrën sesi duhet plotësuet kjo kolonë e procesverbaleve.

Argumenti nuk kaloi pa ironinë e anëtarëve të KAS.  Tre nga pesë anëtarët e KAS të propozuar nga maxhoranca u bindën nga argumenti i KQZ, ndërsa dy të tjerët, Ledio Braho dhe Elvis Cefa vendosën që në vend të 43 kutive të qarkut Vlorë, të hapen katër, nga një për secilën bashki që ka ky qark si kampionim i këtij fenomeni. 

Këto katër kuti do të rihapen në seancën e radhës, ndërsa orët e gjata të seancës kishin prodhuar zhvillime të tjera, por pa rezultat ,me hapjen e një tjetër kutie të të njëjtit qark, këtë herë kërkuar nga Adriatik Lapaj. 

Me kërkesë të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, KAS vendosi riverifikimin fletëve të votimit të një kutive që dyshohej se kishte fletë të cilave u mungonin vulat, por kjo rezultoi konstatim i gabuar pasi të gjitha ishin të vulosura.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos