Partia Demokratike e degës së Vlorës tre ditë para zgjedhjeve të 11 majit ka kallëzuar penalisht për krime zgjedhore dhe shpërdorim detyre Bashkinë Vlorë dhe kryetarin e saj, Ermal Dredha.
Kallëzimi është dorëzuar pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. Sipas demokratëve nga Dredha është deklaruar se landfilli i Sherishtës është vendosur në funksion, por ky është premtim i pambajtur, “edhe pse titullari i Bashkisë Vlorë ka deklaruar disa herë hapjen dhe funksionimin e plotë të këtij landfilli”.
“Kjo është një manovër elektorale, sepse siç e kemi parë mbetjet urbane atje depozitohen për “sy e faqe” dhe nuk procesohet seleksionimi i tyre dhe groposja, ashtu siç duhet të jetë cikli i plotë i përpunimit të mbetjeve urbane. Kjo situatë ka shkaktuar katastrofën urbane në qytetin e Vlorës, ku ndotja është prezente në çdo pjesë të qytetit. Fusha e vendgrumbullimit të mbetjeve në Vlorë është një katastrofë mjedisore, e cila dita ditës tejmbushet mbi kapacitetin mbajtës së saj”, thuhet në njoftimin e PD së Vlorës.
Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe mbajtje përgjegjësie për këtë shkelje që dëmton jo vetëm mjedisin, por sipas tyre edhe integritetin e procesit zgjedhor. (A2 Televizion)