Partia Demokratike përshëndeti qëndrimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për atë që e konsideron si heqje të përcaktimit “Nong Grata” ndaj kryetarit të saj, Sali Berisha.
“Partia Demokratike vlerëson dhe përshëndet qëndrimin e Departamentit të Shtetit, të bërë publik nga media amerikane, si të drejtë dhe kthim të legalitetit, të marrë peng nga administrata Biden me lobimin e George Soros dhe Edi Ramës”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.
“E drejta ka vonuar, por është vënë në vend, falë administratës së Presidentit Trump, fitorja e të cilit i ka shërbyer botës së lirë, me mesazhin e fortë dhe të drejtë, që u përsërit edhe në fjalën e zv. Presidentit Vance në Mynih. Partia Demokratike, në emër të kryetarit të saj, Sali Berisha, të 26 partive të koalicionit, dhe të demokratëve, që mbajtën barrën e qëndresës, falënderon Departamentin e Shtetit për qëndrimin e drejtë dhe parimor! Nuk është liria për të udhëtuar e Sali Berishës, që është penguar këto vite, por është liria e popullit shqiptar për të zgjedhur udhëheqësit e vet, dhe për të pasur një opozitë që nuk e emëron pushteti. Amerika nuk është e panjohur me këtë skenar, siç e ka dëshmuar katër vitet e fundit në gjuetinë e shtrigave kundër Presidentit Trump. Sekretari i Shtetit, Republikani James Baker, e pat thënë, në Sheshin “Skënderbej”, 34 vite më pare: “liria funksionon”. Ajo funksionoi edhe sot”.
Çfarë ndodhi?
Një ditë më parë, gazetari amerikan Marc Caputo, i cili punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara. Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit për gazetarin.
Ish-kryeministri Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “Non Grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj të vitit 2021. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken.
Reagimi i Ramës
Të enjten për këtë lajm reagoi edhe kryeministri Edi Rama, shkruan A2 CNN. Përmes një postimi në Facebook, kryesocialisti shprehet se kjo është një tjetër tallje e Berishës dhe një trushpëlarje. Duke ironizuar Rama thekson se “këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi”.
“Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari. Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapela trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri me mbishkrimin USA”, shkruan Rama. (A2 Televizion)