Eugen Beçi: E vetmja gjë pozitive në Reformën në Drejtësi është fakti që pandëshkueshmërisë i erdhi fundi

Nga A2 CNN
15 Shtator 2026, 22:16 | Politikë

“Reforma në Drejtësi duhet parë nga e para në konceptin e saj”.

Kështu u shpreh avokati Eugen Beçi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Ne duhet të kuptojmë paradoksin që po ndodh në Shqipëri. Rriten veprat penale kundër korrupsionit, rritet numri i procedimeve kundër korrupsionit dhe, në kundërshtim me çdo teori të kriminologjisë botërore, këtu rritet korrupsioni. Duhet të ndodhë e kundërta. Në rast se shtohet lufta kundër korrupsionit, në rast se shtohen tërë ato organe të cilat e luftojnë korrupsionin dhe rritet numri i procedimeve, logjikisht fuqia parandaluese duhet të bënte të kundërtën. Hajde shpjegoje fenomenin shqiptar. Rriten procedimet penale kundër korrupsionit, rritet perceptimi i korrupsionit dhe rritet vetë korrupsioni. Atëherë, këtu është një problem sistemi, nuk është më problem individësh, një prokurori apo një gjyqtari. Në rast se këtu ka nevojë për ndërhyrje sistemike, ne prapë do mbetemi këtu. Reforma duhet parë nga e para në konceptin e saj”, u shpreh avokati.

Më tej, ai nxori në pah edhe të vetmen gjë pozitive, sipas tij, të Reformës në Drejtësi.

“A duhej patjetër të përmbysej gjithçka? A duhej patjetër të bëhej një eksperiment të cilin së fundi Strasburgu po e merr me të qeshur dhe po thotë "Ore, ç'keni bërë?". Se e pamë në fillim si një domosdoshmëri, por duke iu futur pak më thellë shikon që këtu kemi vetëm një paradoks, këtu kemi vetëm një eksperiment dhe e vetmja gjë që është pozitive në të gjithë këtë reformë është fakti që pandëshkueshmërisë i erdhi fundi”, shtoi Eugen Beçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos