"Paradoksi është ulur këmbryq në Shqipëri", Beçi: Kemi një kryetar bashkie që drejton nga burgu

Nga A2 CNN
15 Shtator 2026, 20:50 | Politikë

Avokati Eugen Beçi, ish-drejtues i Krimeve të Rënda, komentoi vendimin e Gjykatës së Lartë për të mos liruar Erion Veliajn.

“Ne do të shohim se si vendimin që mori sot Gjykata e Lartë, do e arsyetojnë në frymën e vendimit të Gjykatës kushtetuese, pasi për sa i përket çështjes Veliaj janë tre elementë të cilët i ka vënë detyrë Gjykata Kushtetuese ndaj Gjykatës së Lartë, për t'i zbatuar në shpalljen e vendimit të sotëm, pavarësisht vendimmarrjes përfundimtare. I ka thënë: “Shiko nenin 147, i cili është i lidhur drejtpërdrejtë me shkeljen e standartit të arsyetimit gjyqësor”. Pasi thotë se Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit nuk ka qenë ezauruese në arsyetimin e vendimit përsa i përket caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, në lidhje me interpretimet e të gjitha elementëve pse duhet të jetë masa e sigurimit të “arrestit në burg”, masa që është ekstremisht shumë rrallë e përdorshme. Është neni 47 pastaj i Kushtetutës, që i ka kërkuar po Gjykata Kushtetuese asaj të Lartë, të interpretojë proporcionalitetin mes një kryetari bashkie dhe një mase sigurimi “arrest në burg”. I thotë: “kjo masë sigurie a është e përshtatshme për një kryetar bashkie? Dhe e fundit fare, që i ka dhënë të drejtë zotit Veliaj Gjykata Kushtetuese, ka lidhje me cenimin e dinjitetit njerëzor, duke iu referuar Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut. Ka lidhje me kafazin gjatë gjykimit dhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar përfundimisht që trajtimi në kafaz i të arrestuarve apo i të gjykuarve është çnjerëzor dhe bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut jo vetëm për dinjitetin, por edhe për marrëdhënien që ai duhet të ketë me avokatin e tij në sallën e gjyqit”, shpjegoi Beçi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Këto janë tre elemente që Gjykata Kushtetuese ia ka lënë për detyrë Gjykatës së Lartë, por Gjykata Kushtetuese nuk i tha Gjykatës së Lartë “ti duhet ta lirosh Erjon Veliajn”. Gjykata Kushtetuese i tha: “në rast se ti ke vendosur ta mbash në burg Erjon Veliajn me masën e sigurimit “arrest në burg”, duhet të jesh bindëse në argumentimin se arresti në burg është masë e vetme e përshtatshme. Pas një apo dy muajsh do shpallet vendimi i arsyetuar dhe do shohim nëse Gjykata e Lartë e ka zbatuar orientimin e Gjykatës Kushtetuese apo jo. Në rast se nuk e ka zbatuar, ekipi mbrojtës i zotit Veliaj ka të drejtë ta riçojë prapë në Gjykatë Kushtetuese. Sot, Gjykata e Lartë, në gjithë këtë kalvar gjykimesh, ka shqyrtuar elementët dhe kushtet e caktimit të masës së sigurimit të 9 shkurtit të 2025-s dhe për këtë arsye Gjykata e Lartë sot nuk ka parë zhvillimet e mëtejshme, por ka parë kushtet dhe rrethanat se si Prokuroria e Posaçme ka caktuar masën e sigurimit dhe gjykata e ka vlerësuar këtë masë sigurimi”, shtoi Beçi.

Sipas tij, “paradoksi është ulur këmbryq në Republikën e Shqipërisë sepse ne kemi një drejtësi penale që thotë se kryetari i bashkisë duhet të rrijë në burg; kemi një Gjykatë Kushtetuese që thotë kryetarin e bashkisë nuk e shkarkon dot dhe duhet ta mbash në detyrë; dhe si përfundim kemi një kryetar bashkie që drejton nga burgu”.

“Këto janë absurde të mangësisë ligjore, mbase të mungesës së vizionit e kohezionit të të gjithë atyre që kanë hartuar korpusin e legjislacionit përsa i përket luftës kundër korrupsionit. Sepse kemi një situatë ku mund të kemi shumë kryetarë bashkish dhe të gjithë nuk mund të drejtojnë nga burgu. Kemi një situatë ku mund të kemi një ministër që nuk pezullohet dot nga detyra pa i marrë leje Parlamentit dhe në rast se pezullohet, atëherë edhe ministri do të drejtojë nga burgu? Është një situatë paradoksale e cila është ulur këmbëkryq në Republikën e Shqipërisë dhe askush nuk rreket ta shpjegojë. Sepse Gjykata Kushtetuese ka të drejtë kur thotë se ky duhet të jetë kryetar bashkie, por sot mësuam që edhe drejtësia penale thotë se “arresti në burg” qenka i përshtatshëm”, tha avokati Eugen Beçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos