
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, pas publikimit të një mesazhi që pretendohet të jetë bërë prej tij dhe ku përdoret termi “idiotë” ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ndonëse ministri Hoxha i ka hedhur poshtë pretendimet, Bardhi mendon se nuk kemi të bëjmë me një mentalitet politik, ku fshirja e mesazhit pas publikimit të skandalit nuk e zbut përgjegjësinë e ministrit. Bardhi e konsideron sjelljen e Hoxhës arrogante dhe të padenjë.
“Çfarë idioti! Ministri i Jashtëm fshin mesazhin përçmues për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pasi skandali u bë publik. Të quash shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë” në një komunikim me ambasadorët nuk është lapsus. Është mentalitet politik. Nuk ka asnjë fabrikim. Ka vetëm një ministër të Jashtëm arrogant dhe të padenjë për detyrën. Sjellja e tij idiote është ekzakt modeli i kësaj qeverie: Fillimisht përçmon. Pastaj viktimizohet. Në fund mohon”, shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Kreu i grupit parlamentar demokrat ka kërkuar që kryeministri Rama të shkarkojë ministrin e Jashtëm.
“Mohimi, fshirja e mesazheve, sulmi ndaj denoncuesve (për fat të mirë nuk është vetëm një person që ka reaguar ndaj qëndrimit skandaloz të Ministrit) nuk është mënyra që e zgjidh situatën. Kryeministri ka të gjitha mjetet në dispozicion për të verifikuar mesazhin dhe fshirjen e tij. Të paktën një herë në jetën e tij politike, Edi Rama duhet të sillet me nder dhe ta shkarkojë Ministrin e Jashtëm. Edhe për faktin se qenka tepër idiot!!!”, shkruan Bardhi.


(A2 Televizion)