Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me mbështetës të Partisë Socialiste në qytetin e Sarandës, ka lëshuar sërish kritika ndaj partive të vogla në skenën politike shqiptare, duke i akuzuar për përfaqësim të interesave personale dhe të ngushta.
Rama i krahasoi këto forca të reja politike me ish-partinë LSI, përkrah të cilës fitoi zgjedhjet e 2013, duke garuar në koalicion përballë mazhorancës së drejtuar nga Sali Berisha. Kryeministri tha se këto parti janë “cikli i dytë i farës së të ndjerës LSI dhe juve kjo ju kujtohet mirë se çfarë kemi hequr duke i provuar të gjitha”.
Sipas tij, përvoja me partitë e vogla ka treguar se ato nuk punojnë për interesin e përbashkët. “Partitë e vogla janë për interesa të vogla. Sa më e vogël partia, aq më të vogla interesat që përfaqëson. Një parti e madhe si Partia Socialiste është për interesin kombëtar”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se, ndonëse PS mund të ketë bërë gabime gjatë 35 viteve të ekzistencës së saj, nuk ka pasur asnjë rast ku të ketë tradhtuar interesin kombëtar. "Një parti e madhe si PS është për interesin kombëtar", tha Rama. (A2 Televizion)