Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi kandidatët e opozitës për qarkun e Fierit, në një miting në qendër të qytetit. Nga aty ai sulmoi Edi Ramën, duke e krahasuar regjimin e tij me një natë të zezë që kishte rënë mbi Fierin dhe gjithë Shqipërinë, shkruan A2 CNN.
“Shpreh kënaqësinë e madhe, sepse vij sot tek ju, pasi ju burra dhe gra, djem dhe vajza të këtij qarku dhe në mbarë Shqipërinë, e zgjuat në zemrat dhe mendjen e shqiptarëve shpresën që po venitej. Rikthyet tek ata shpresën e madhe. Rikthyet tek të rinjtë shqiptarë ëndrrën e tyre të bukur shqiptare. Rikthyet në rrugë dhe sheshet e këtij vendi, në zemrën dhe mendjet e shqiptarëve, dritën e fitores më 11 maj. E fitores historike, e ndarjes sonë nga një periudhë ndër më të pamerituarat në histori nga një regjim që, në 12 vite shkretoi Fierin dhe Shqipërinë, më shumë se çdo luftë, çdo pushtim, çdo fatkeqësi natyrore në të gjitha kohërat, nga një regjim, i cili në vend që të mundësonte që shqiptarët nga viti në vit të jetonin më mirë me punë dhe djersën e tyre, bëri që ata të varfërohen, sofra e tyre të pakësohej gjithnjë e më shumë dhe alternative e vetme u mbeti atyre, të marrin rrugët e dheut nga një regjim, kryeministri i të cilit, kur erdhi 12 vite më parë në pushtet, e keni parë, mos e harroni kurrë, kalonte krenarisht nga një studio televizive në një studio tjetër, duke iu treguar qytetarëve të vet hekurat, për t’u faktuar se është biri i një xhelati, që urdhëronte varjen e disidentëve dhe që në një vit, arrestoi 37 mijë shqiptarë për kauza për çështje civile, për të cilat nuk arrestohet kush në botë”, tha Berisha.
“Kjo natë 12-vjeçare e ka një fund, dhe fundi i saj është fitorja e çdo shqiptari më 11 maj! Shqiptaret dhe shqiptarët pas një nate të tillë, u ngritën si feniksi nga hiri në zenit dhe vijnë sot më të sigurt se kurrë në fitoren e tyre plebishitare, fitoren e çdo shqiptari, fitoren e Fierit dhe të Shqipërisë.
Rrofshi ju, rroftë Fieri, rroftë Shqipëria!”. (A2 Televizion)