Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, konfliktin me Adriatik Lapajn e “Shqipëria Bëhet”.
“Ka një tension që lidhet me premtimin për përfaqësim në Parlament. Sistemi zgjedhor na ka detyruar që të dalim me një skemë ku lista e mbyllur do të jepte dorëheqjen (46 kandidatë) dhe të gjithë të tjerët ishim te lista e hapur. Para se të ndodhte e gjitha kjo, pati diskutim se kush do e drejtonte koalicionin dhe vendosëm ta drejtonte më i riu ndër ne, që ishte Adriatik Lapaj, i cili, si kryetar, do të ishte edhe më i promovuari. Për pasojë, do të kishte avantazh ndaj të tjerëve. Shqetësimi ishte se ky avantazh mund të ishte i padrejtë. Për këtë arsye, garancia ishte që nëse marrim vetëm 1 mandat, nuk do të ishte Adriatiku”, tha Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
“Kishte një garë mes gjithë të tjerëve dhe kishte një angazhim të drejtuesit të koalicionit, i cili tha që “ju nuk po futeni në garë për të më bërë mua deputet sepse nuk jam këtu për karrierën time personale”. Kjo garanci u tha edhe publikisht më pas. Çfarë ndodhi? Të 46 kandidatët, kur erdhi data 11 maj, firmosën dorëheqjet. Kandidati i 47, që ishte Adriatiku, ndryshoi mendim”, shtoi Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Sipas tij, kryetari i koalicionit që kishte avantazh ndaj të tjerëve “merrte përsipër që të jepte dorëheqjen”.
“Kjo nuk është shkruar në marrëveshje, por ne jemi njerëz të fjalës dhe janë provat që angazhimi ai ishte. Duke qenë se ishte lider i koalicionit, ai vendoste standardin për të tjerët. Njëri prej personave që kishin firmosur dorëheqjen u ndje i përdorur ngaqë kreu i koalicionit nuk e mbajti fjalën”, shtoi më tej Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
(A2 Televizion)