Ferit Hoxha reagon pas deklaratave të Spajiç: Shqipëria nuk është pjesë e asnjë skenari destabilizues

Nga A2 CNN
28 Gusht 2026, 15:26 | Politikë

Pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili tha se kishte informacione për veprimtari hibride të koordinuara që synojnë destabilizimin e Malit të Zi dhe që, sipas raportimeve të mediave, lidhen me Shqipërinë dhe Serbinë, ka reaguar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Hoxha ka mohuar çdo përfshirje të Shqipërisë në skenarë destabilizues, duke theksuar se ndaj vendit tonë nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, u shpreh Hoxha.

Reagimi i plotë i Hoxhës: 

Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore.

Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj #Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në #NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në #BE, dhe as askund tjetër.

Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik.

Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimović, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj.

Kjo duhet mbajtur parasysh edhe këtu tek ne. Aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga MEPJ çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme.

Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos