“Vera dogji Edi Ramën”, Berisha: Të mbështesim fuqishëm protestën

Nga A2 CNN
27 Gusht 2026, 19:18 | Politikë

“Vera dogji Edi Ramën”, Berisha: Të mbështesim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të gjithë demokratët të mbështesin protestat qytetare kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

“Vera që po lëmë pas do hyjë në histori si vera që dogji Edi Ramën. Jemi në fund të muajit gusht. Po mbyllim verën më të nxehtë të viteve të fundit, një verë aq përvëluese që muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite ka shkrirë dhe po shkrin narko-shtetin, kreun e saj padrinon Edi Rama”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

“Zjarret dogjën Shqipërinë këtë verë si rrallë ndonjë vit më parë. Vatra të shumta zjarresh në Fushë Krujë, Krujë, Dajt, Dibër, Bulqizë, Pukë, Finiq, Mallakastër, Gramsh, etj. Ato, pothuajse, nuk u menaxhuan fare. Fondet e emergjencës për zjarret kishin shkuar për koncerte për të shuar protestën.

Por këtë verë, zjarret si asnjëherë më parë, dogjën edhe më shumë se kaq. Zjarret dogjën teserat e partisë së krimit. Siç keni parë në video, nga vetë socialistët që dogjën kartat e tyre në Poliçan, në Divjakë, në Dimal, pa llogaritur edhe mijëra e mijëra të tjera që u dogjën përfundimisht në bulevardin e Tiranës. Kjo verë shkriu me nxehtësinë e saj propagandën e AKSHI-t. Shkriu Diellën, Lindat e AKSHI-t.

U kujtoj se Ermal Beqirin e AKSHI-t, pasi vodhi 200 milionë euro, një ditë u arrestua në Francë dhe pak javë më vonë këtij kështjellari, Edi Rama me ministrinë e Financave i dhanë edhe disa milionë euro të tjera për të ndarë së bashku me të. Miliona euro që shkojnë nga paratë e shqiptarëve në llogaritë e Beqirit, i cili gjendet në qelitë e Francës”.

Berisha vlerësoi protestën që zgjat prej tre muajsh e cila, sipas tij, e rrënoi Ramën. “Në temperatura ku vera mund të skuqej në nxehtësinë e asfaltit, presione, kërcënime të egra dhe provokime të pandalura nga patronazhistët terroristë politikë, narkopolicia dhe kartelet qeveritare të drogës ndaj protestuesve paqësore. Ndonëse në një lumë fyerjesh shtazore mediatike të nxjerra nga Ymer Çorapet dhe Frrok Çupërat, qytetarë të lirë, heronj të vërtetë, ditë për ditë kanë protestuar pa ndalim në një manifestim të admirueshëm të ADN-së shqiptare, të dinjitetit, të guximit, të qëndresës. Për nga gjatësia, protesta e dytë më jetëgjatë pas asaj te Rruga e Shpresës, duke shënuar për nga madhësia absolutisht protestën më masive që Shqipëria ka parë ndonjëherë që nga vitet ’90 gjer sot”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos