Reforma Territoriale, Klosi: Ka ardhur koha që të shihet edhe ndarja me 61 bashki, shpresojmë te konsensusi me opozitën

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 18:46 | Politikë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, është shprehur se ka ardhur koha që të rishikohet ndarja me 61 bashki në Shqipëri, duke theksuar nevojën për një Reformë të re Territoriale.

Komentet Klosi i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, ku tha se shpreson që kjo reformë të mbyllet brenda pranverës së vitit tjetër, për të lënë një vit kohë për përgatitjen e zgjedhjeve lokale në vitin 2027.

Ai tha gjithashtu se PS nuk i ka 84 vota për realizimin e kësaj reforme, teksa shtoi se shpresonte që kjo reformë të realizohen përmes konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës.

“Nuk duhet mbarsur debati me komisionin. Komisioni është le të themi një ambient pune, ku grumbullohen kontributet e të gjithëve, grumbullohen mendimet, opinionet, forcat politike hedhin në tryezë negocimet dhe qëndrimet e tyre. Nuk ka asnjë vendim që merret në komision.

Në komision diskutohen, vijnë ekspertët e të dyja krahëve, marrin qëndrime, kanë ekspertë të huaj, kanë ekspertë lokalë që padyshim forcat politike të gjitha kanë njerëz që japing opinionin teknik për gjënë, por pastaj votën e vendos Parlamenti, vendimmarrja është parlamentare, nuk është një vendimmarrje e kufizuar në komisione.

Por në të dyja rastet kërkohet një mazhorancë e cilësuar, me 84 vota. Ne nuk i kemi. 83 vota kemi. Ne nuk do të donim që të kishim një vendimmarrje të votës për reformën territoriale, por do donim të kishim një vendimmarrje të konsensusit bipartizan dhe sa më gjërë ai të jetë i mundshëm, ne do duhet që të ecim përpara me këto reforma.

Flasim për përgatitjen e garës së 2027, që është garë lokale. Ndjeshmëria e do që debati për ndarjen territoriale të mbyllet brenda pranverës së vitit tjetër, që të lëmë një vit kohë që të ambientohet situate”, tha mes të tjerash Klosi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos