“Forumi i Dialogut”, Hasimja: Propozojmë ide, të ndërtojmë një sistem që mos të varet nga ndershmëria e pushtetarit

Nga A2 CNN
2 Tetor 2026, 23:11 | Politikë

Politologu Ermal Hasimja foli për “Forumin e Dialogut”, duke theksuar se aty janë “25 intelektualë dhe ekspertë që kanë punuar për prodhimin e disa ideve për zgjidhjen e problemeve, por edhe parandalimin e problemeve që të ndodhin” në të ardhmen.

“Në muajin qershor jemi takuar me profesor Artan Fugën, kemi diskutuar idenë e një organizimi, ku të nxisnim një proces reflektimi mbi atë që po ndodh. Atëherë ishin ditët e para të protestës dhe po diskutonim që nuk mjafton vetëm revolta, por duhet edhe mendimi. Kështu është nisur dhe më pas, Forumi i Dialogut e rimori këtë ide dhe janë rreth 25 intelektualë dhe ekspertë që kanë punuar për prodhimin e disa ideve. Ne si Forum i Dialogut propozojmë një grup idesh për zgjidhjen e problemeve, por edhe parandalimin e problemeve që të ndodhin”, tha Hasimja në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.

“Si ta bëjmë të mundur të ndërtojmë një sistem që të mos varet nga ndershmëria e atij që ka pushtetin. Kemi një program specifik për këtë gjë, ky program do prezantohet dhe të gjithë ata që janë ftuar në tryezë do të diskutojmë mbi bazën e këtyre ideve. Është një përpjekje për t’i dhënë një thellësi mendimi revoltës në Shqipëri", shtoi Hasimja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos